Agani thotë se Nisma-AKR-PD ka kaluar pragun zgjedhor
Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Ferid Agani që është pjesë e koalicionit Nisma-AKR, po shprehet i bindur se ky koalicion ka kaluar pragun zgjedhor dhe se do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Agani thotë se megjithatë nuk janë të kënaqur me rezultatin përfundimtar, pasi që pritjet kanë qenë shumë më të mëdha.
“Natyrisht i kemi informatat të cilat vijnë brenda koalicionit nga komisionerët, në këtë rast më tepër të Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re, meqenëse Partia e Drejtësisë ka pasur shumë numër të vogël të komisionerëve të cilët kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në proces zgjedhor. Por nga informatat që i kemi nuk diskutohet pjesëmarrja e koalicionit tonë në Kuvendin e Kosovës. Pra, normalisht ne e kemi kaluar pragun dhe kjo do të jetë edhe më e qartë pas numërimit të votave me kusht dhe votave nga mërgata dhe në këtë aspekt është vetëm çështje kohe se kur kjo do të verifikohet. Ndonëse është shumë e qartë se rezultati përfundimtar i cili është në dukje është larg prej asaj të cilin e kemi pritur”, ka thënë Agani për “EkonomiaOnline”.