Agim Ademi: Asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përgëzuar Policinë e Kosovës për ndaljen e futbollistëve të Crvena Zvezdas në Jarinë dhe ka thënë se ndeshje të tillë nuk do të lejohen të zhvillohen në Kosovë as në të ardhmen.
Sot në orën 11:00, pika kufitare në Jarinë ishte e mbushur me policë të Kosovës, të cilët ishin vendosur atje në numër të madh me qëllim për ta ndalur skuadrën e Crvzena Zvezdas të hyjë në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Crvena Zvezda e kishte kaluar natën në Novi Pazar, ndërsa sot synonte ta vazhdonte rrugëtimin në Kosovë, me qëllim ta kalojë kufirin në Jarinë në orën 11:00. Të gjithë këtë rrugëtim, serbët e bënë me qëllim për ta zhvilluan ndeshjen e fazës eliminatore të Kupës së Serbisë, me klubin serb nga Kosova, Trepçën.
Përkundër insistimit të Federatës së Futbollit të Kosovës se nuk do të lejohet zhvillimi i ndeshjeve zyrtare serbe në territorin e Kosovës, ndeshja Trepça – Crvena Zvezda ishte planifikuar nga Federata e Futbollit e Serbisë të zhvillohet sot në orën 15:00 në Kosovë. Ndeshja nuk arriti të zhvillohet pasi që Policia e Kosovës e ndali Crvena Zvezdan në kufi dhe autobusi i skuadrës u kthye prapa në Serbi, bashkë me tifozët dhe liderët e grumbulluar aty.
“Ne kemi qenë në dijeni për tentimin për ta zhvilluar këtë ndeshje, të cilën e kemi kundërshtuar qysh nga fillimi dhe kemi kërkuar nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë ta përkrahin vendimin tonë për të mos e lejuar Crvena Zvezdën të hyjë në Kosovë”, ka thënë Ademi për Gazetën Express.
Ndeshja mes Trepçës dhe Crvena Zvedas tani pritet që të zhvillohet nesër në orën 17:00 në qytetin e Serbise, Stara Pazova. Agim Ademi ka thënë se për të është e rëndësishme vetëm që ndeshjet zyrtare serbe të mos zhvillohen në Kosovë.
“Ne kemi qenë gjithmonë për promovimin e sportit dhe kemi lejuar organizimin e ndeshjeve bamirëse dhe atyre miqësore, mirëpo asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë, sepse është kundër statutit tonë dhe të UEFA-s”, shtoi Ademi.
Kur u pyet për qëndrimin e FFK-së ndaj zhvillimit të ndeshjes në qytetin serb, Ademi u përgjigj: “Për ne është e rëndësishme që të mos lejohet zhvillimi i ndeshjeve të tilla në territorin e Kosovës”. Përderisa Ademi u shpreh i kënaqur me reagimin e Policisë së Kosovës në Jarinë, liderët e Crvena Zvezdës, Trepçës dhe shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u shprehën të zhgënjyer.