Agim Ademi dhuron një shtëpi për një familje në nevojë: Po e kryejmë këtë mision fisnik për vendin dhe popullin tonë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka marrë pjesë të mërkurën mbrëma në ceremoninë e 13-vjetorit të themelimit të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, e drejtuar nga bëmirësi Halil Kastrati.
Ademi në Facebook ka njoftuar se ka dhuruar një shtëpi për një familje nevojtare në fundvit.
I pari i shtëpisë së futbollit të Kosovës tha se këtë mision po e kryen për vendin dhe popullin e Kosovës.
Ademi në llogarinë e vet ka plasuar një fotografi ku shihet i shoqëruar në këtë ceremoni nga kryetari i Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halili Kastratin dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj të cilët i falënderoi.
Postimi i plotë i Ademit:
Sonte kisha kënaqësinë të marrë pjesë në ceremoninë e 13-vjetorit të themelimit të Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Njëherësh u ndjeva jashtëzakonisht i lumtur që përmes kësaj shoqate e dhurova një shtëpi për familjet në nevojë, teksa familjes të cilës ia dorëzova çelësat e kësaj shtëpie i dëshirova jetë të lumtur, harmoni dhe begati.
Jam i nderuar që së bashku me shumë donatorë tjerë jemi pjesë e shoqatës “Jetimat Ballkanit” dhe së bashku nën udhëheqjen e Halil Kastrati po e kryejmë këtë mision fisnik për vendin dhe popullin tonë.
Kur ke mundësi të bësh vepra të tilla, ndjenja është e papërshkrueshme.
Shpresoj që në të ardhmen të kemi sa më shumë donatorë për ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë, pasi kësisoj kontribuojmë edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.
Po ashtu, falënderoj edhe kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj , i cili mundësoi që në këtë qytet të bëhet kjo mrekulli.
#JetimateBallkanit
#Shtëpipërçdofamilje