Agim Ademi flet para ndeshjes Bullgari – Kosovë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është duke i qëndruar afër Përfaqësues së Kosovës në prag të ndeshjes me Bullgarinë, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit “Euro 2020”.
Numri një i FFK-së, ka thënë se ka besim të madh në shtabin teknik dhe te futbollistët. Ai shpreson që sonte “Dardanëve” t’iu prijë fati dhe mos të kenë lëndime.
“Më gëzon fakti që sot ekipin përfaqësues, ekipin e zemrës që e ndërtuam me shumë punë e sakrificë, por edhe me shumë dashuri po e mbështesim fuqishëm të gjithë. Paraqitjet e djemve tanë ‘Dardanë’ po na bëjnë të gjithëve krenarë. Falënderoj të gjithë bashkatdhetarët që nuk po kursejnë asgjë për të qenë afër Përfaqësues kudo që ajo luan. Jam i lumtur që e kemi krijuar një ekip të fortë e cilësor dhe kam besim të plotë në punën e shtabit teknik dhe në angazhimin dhe kualitetin e futbollistëve”, ka thënë Agim Ademi.
“Sot, djemve tanë u dëshiroj sukses dhe shpresoj t’u prijë fati dhe të mos kenë lëndime. Sot, ata kanë edhe një arsye shtesë për angazhim dhe për lojë sa më të mirë. Në këtë ndeshje do të luajmë pa Arbërin, i cili u lëndua në krye të detyrës. Me paraqitjen që do ta kemi sonte do t’i japim atij shumë kurajë e mbështetje në kalimin sa më të shpejtë të lëndimit dhe kthimin edhe më të fortë të tij në klubin ku luan dhe në Përfaqësuese. Prandaj, suksese djema, jemi me ju dhe kemi besim të plotë që do të vazhdojmë me krenari e përgjegjësi. Ju jeni krenaria jonë. Na priftë e mbara sonte”, ka thënë Ademi.
/Epoka e re/