Agim Ademi ngushëllon familjen Makolli për vdekjen e atdhetarit Azem Makolli
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka ngushëlluar familjen Makolli me rastin e ndarjes nga jeta të atdhetarit nga Hertica, Azem (Avdyl) Makolli.
Ademi ka theksuar se Azemi la gjurmë për brezat e rinj si një patriot i madh, teksa shërbeu si idhull për ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Historia e tij sa ishte e dhimbshme, ishte edhe lavdishme. Ai ishte një figurë që u këndua edhe nga rapsodia shqiptare për heroizmin e treguar në rininë e tij të hershme në rajonin e Gollakut”.
“Si fëmijë i një familje të persekutuar nga serbët dhe më pasi si një personalitet me guxim të lartë dhe mision atdhetari, ai vendosi të merrte hak për vrasjen e gjyshit të tij, Brahim Sheshivari, që kishte ndodhur në vitin 1945 nga Dushan Radojeviq, pasi po luftonte kundër shtrirjes së ndikimit serb në Kosovë”, ka shkruar Ademi né “Facebook”.
Ai ka shtuar se hakun e gjyshit ai e mori në Orllan, duke e vrarë Dushanin e Turiqicës, teksa më pas ishte dorëzuar në polici dhe më pas e kishte vuajtur dënimin në burgun famkeq ‘Goliotok’ për 15 vjet.
“Në këto momente dhimbjeje i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta familjes Makolli dhe tërë bashkëkohanikëve që e njohën dhe e respektuan për veprat e tij atdhetare”, ka shkruar kryetari i FFK-së, Agim Ademi.