Agim Ademi pas triumfit të Kosovës U17: I lumtur dhe krenar me suksesin e vashave tona
Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Luksemburgut në kuadër të kualifikimeve për Evropianin për Femra.
Aurora Racaj ishte protagonistja kryesore në këtë takim, duke shënuar 3 gola, derisa një herë shënoi edhe Rreze Gashi.
E pas triumfit të vashave tona, ka ardhur edhe reagimi nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
I pari i futbollit kosovar ka shkruar në faqen zyrtare se është krenar dhe i lumtur me suksesin e vashave të Kombëtares U17.
Postimi i Agim Ademi:
Kënaqësi e papërshkrueshme kur shoh gëzimin në fytyrat e Dardaneve tona të reja!
Krenar dhe i lumtur për suksesin e Kombëtares U17, që qysh në debutimin e saj arriti ta kalojë fazën e parë kualifikuese dhe të promovohet në Ligën A të kualifikimeve për Evropianin 2022.
Urime për vajzat dardane, për prindërit e tyre që i mbështesin dhe për klubet dhe stafin e trajnerëve që punojnë me përkushtim në ngritjen e tyre profesionale.
Zhvillimi dhe masovizimi i futbollit të vajzave ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet tona, derisa sukseset e tilla na ndihmojnë në rritjen e mëtejme.
Le të punojmë së bashku në vazhdimësi për suksese tjera!
Me respekt,
A.A.