Agim Ademi takoi Alasdair Bellin, flasin për rastin e Loret Sadikut
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi gjatë qëndrimit në Milano ka takuar zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Alasdair Bell, i cili në opinionin njihet për argumentimin e shkëlqyeshëm që i dha Kongresit të UEFA-s në maj të vitit 2016 për të drejtën e Kosovës për t’u bërë anëtare e UEFA-s.
Kryetari Ademi në emër të komunitetit të futbollit në Kosovë e falënderoi Bellin për respektin që ka treguar ndaj FFK-së dhe për argumentimin brilant ligjor në favor të pranimit të Kosovës në UEFA.
“Bell e përgëzoj kryetarin Ademi për arritjet e deritashme dhe u shpreh i lumtur që Kosova në këto tri vite të anëtarësimi në UEFA e FIFA ka bërë hapa të mëdhenj përpara dhe po tregohet storie e suksesit në çdo fushë. Ndërkohë, temë e këtij takimi ishte çështja e Loret Sadikut, i cili ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin rreth fitimit të së drejtës për t’u paraqitur në Kombëtaren e Kosovës. Me këtë rast, Bell theksoi se do të përkujdeset për të parë se ku ka ngecur ky proces dhe nëse mund të ecet tutje”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
/Epoka e re/