Agim Aliu dhe Hajredin Kuçi i vizitojnë krerët e UÇK-së në Hagë
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga ish-kryeministri Hajredin Kuçi, i kanë vizituar krerët e UÇK-së në Hagë. Kështu ka bërë të ditur Aliu në “Facebook.
Postimi i plotë i Aliut:
Çlirimtarët, të pathyeshëm edhe në luftë edhe në betejën pranë Gjykatës Speciale. Lavdia e krenaria e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të triumfoj sërish!
Nga vizitat më emocionale e më të veçanta, patëm këto ditë, me profesorin e mikun tim të nderuar, Hajredin Kuçi, ku bashkë vizituam në Hagë, emblemat e lirisë, lavdisë, krenarisë dhe shtet formimit të Kosovës, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën.
Të gjithë, të pathyeshëm, krenarë e energji plotë, po vazhdojnë betejën e sakrificën që nisën qysh në luftën për liri të Kosovës, duke u mbajtur edhe sot, padrejtësisht në gjykimin absurd të një lufte të pastër çlirimtare. Ata do të triumfojnë, do të triumfoj lufta jonë për liri, lavdia e krenaria e saj, që solli lirinë e Kosovës.
Kosova me shekuj vuajti robërinë. Edhe sot, bijtë e saj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë po mbrojnë themelet e lirisë sonë, luftën tonë të drejtë çlirimtare ndaj regjimit gjakatar serb.
Me të fala Kosovës nga çlirimtarët, mes emocionesh, përmbyllëm vizitën tonë, duke uruar që sa më shpejt, triumfues siç i pret çdo shqiptar, t’i kemi pranë nesh, aty ku me lavdinë e veprën e tyre, historia i rendit, në Kosovën tonë, liria e së cilës mban emrin e secilit prej tyre, Dëshmorëve të Kombit, veteranëve, invalidëve të UÇK-së, martirëve e gjithë brezit që sakrifikoi për liri.