Agim Aliu: Faleminderit ferizajas, për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe besimin tuaj
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu përmes një video adresimi, i ka falënderuar qytetarët e Ferizajt për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe besimin e patundur në këtë garë zgjedhore.
Ndër të tjera, kryetari Aliu u shpreh:
“Tash kur kanë mbetur edhe pak orë deri në ditën e votimit, dua të shpreh disa fjalë zemre për ju, mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme e besimin tuaj të patundur në vizionin për Ferizajn që duam. Kjo fushatë zgjedhore nuk ishte e zakonshme. Ishin masat kufizuese që na mbajtën larg njëri-tjetrit fizikisht, por megjithatë, ishim afër e të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte Ferizaj që na bashkoi, ishte fushata që u krye jo nga ne, por nga ana juaj si asnjëherë më parë në historinë tonë politike, ajo që më bënë të jem falënderues e mirënjohës për ju. Desha shumë të takoj mjekët, infermierët, mësimdhënësit, ndërmarrësit, artistët, sportistët, burra e gra të çdo profesioni, të rinjtë e të moshuarit, por situata pandemike na pamundësoi takimin tonë të drejtpërdrejt. Mbi të gjitha është shëndeti, e këtë parim e kam zbatuar. Asgjë nuk është më e shenjtë dhe më e shtrenjtë se besimi. Besimin e qytetarëve, gjithnjë e kam përkthyer në përgjegjësi e bashkëndjesi ndaj tyre. Janë miliona euro investime që po e presin Ferizajn në 1460 ditët e ardhshme, projekte krejt të reja e vazhdim me ritëm edhe më të lartë të transformimit të madh të Ferizajt. Është e gjelbërta, kryefjala jonë për katër vitet e ardhshme si dhe projekte të shumë fushave, të cilat tashmë i kam prezantuar, janë të njohura për ju dhe kanë mbështetjen tuaj të fuqishme bashkëqytetarë. Gjuha jonë ka një fjalë magjike. Faleminderit!
Faleminderit juve të rinj e të moshuar, burra e gra të çdo moshe e profesioni, që më keni dhënë privilegjin të kem besimin e përkrahjen tuaj, për ta bërë më të mirë Ferizajn që të gjithë e duam! Faleminderit çdo ferizajasi e ferizajaseje që mbi partitë, përtej ngjyrave e sloganeve politike, ka ndarë mendjen, duke vendosur në radhë të parë Ferizajn e të mirën e dëshmuar me punë. Të dielen e 17 Tetorit, fitojnë qytetarët, jo kryetarët. Ndershmëria, dinjiteti, guximi, puna e ndërgjegja e pastër, profesionalizmi e energjitë e reja, janë vlerat tona të dëshmuara. Andaj të dielen, dilni të votoni ju, familja dhe shoqëria juaj. Për ju, për familjen tuaj, për Ferizajn, për vlerat që ndajmë bashkë. Ju faleminderit!”.
Kliko këtu për të parë videon.