Agim Aliu: Komunat kërkojnë bashkëpunim më të fuqishëm nga qeveria
Kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Aliu në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij ka paraqitur kërkesat e kryetarëve të komunave në lidhje me qeverisjen lokale, të cilat ia kanë adresuar qeverisë dhe që nuk kanë marrë përgjigje ende.
“Kemi kërkuar të dimë arsyet e ndërprerjes apo anulimit të projekteve të caktuara, deri më tani, nuk kemi marr përgjigje përfundimtare për shumë nga to. Gjithashtu, kemi kërkuar mbështetjen e qeverisë që të ndahet buxhet shtesë për komunat, që të përballohen kostot financiare si rrjedhojë e Kontratave Kolektive e të cilat paguhen nga buxhetet komunale, edhe kjo nuk ka ndodhur, ndonëse jemi në dijeni të hapave të qeverisë për ndërprerjen e kontratave kolektive. Vazhdon të mbetet e parealizueshme, mundësia për themelimin e Ndërmarrjeve Publike Lokale sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, problematikë që gjithashtu e ngritëm në takimin e shtatorit. Sfiduese dhe e rëndësisë jetike për qytetarët, është edhe furnizimi me barna nga lista esenciale, përgjegjësi kjo e Ministrisë së Shëndetësisë, por që deri më tani, jemi të gjithë dëshmitarë që mbetet e pazgjidhur kjo sfidë për të gjitha komunat”, ka thënë Aliu.
Lidhur me buxhetin komunal, ai është deklaruar se buxheti për komuna do të jetë rreth 660 milionë euro e që krahasimisht me vitet 2021 dhe 2020, shprehur në përqindje, rezulton se ky buxhet aktual, është më i vogël sesa vitet e lartcekura.
“Konsideroj se është e padrejtë kur dihet se niveli lokal është porta e parë e çdo kërkese qytetare, kërkesat janë vazhdueshëm në rritje, andaj edhe Qeveria duhet të shtoj buxhetet për komunat, duke ngritur substancialisht fondet për investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet që të mundësohet përfshirja më e gjerë e kërkesave qytetare në planifikimet tona investive”, është shprehur Aliu.
Ai ka shtuar se shpërndarja buxhetore për kategorinë e investimeve kapitale për komunat, nuk është e barabartë dhe e drejtë.
“Komunat e mëdha janë fare pak të përfshira në projektet kapitale të ministrive përkatëse, flas për projektet e reja të planifikuara në kuadër të buxhetit 2023. Ministritë, duhet të planifikojnë barabarësisht shpërndarjen e fondeve publike përmes projekteve, duke përfshirë të gjithë komunat, gjykuar nga pesha, nevoja e rëndësia që paraqesin ato projekte për qytetarët e komunave përkatëse”, është shprehur ai.
Aliu përmendi edhe tentativën që mjetet buxhetore të pashpenzuara të komunave të kthehen mbrapsht si rishpërndarje. Sipas tij, kjo ishte qasje e padrejtë e jo ligjore.
“Tendenca e marrjes së të hyrave vetjake nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve ishte e pakuptimtë për neve si autoritete lokale dhe ndoshta ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me bartjen e mjeteve nga të hyrat vetjake nga viti 2021, pra para vitit 2022. Ministër Murati, në ligjin për ndarje buxhetore për vitin 2023 thuhet që bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetjake të komunave nga viti fiskal 2022 të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK (Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës) si ndarje buxhetore për një komunë ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike”, ka bërë me dije Aliu, duke shtuar se komunat gjithashtu vazhdojnë të kenë problemin me pronat e administruara nga AKP-ja.
“Këto tema, që sot u ngritën, u diskutuan dhe u ri-diskutuan përsëri, janë vetëm disa nga shqetësimet që kanë komunat. 20 (njëzetë) kolegjiumet e AKK-së që nga arsimi, shëndetësia, inspektorët komunal, administrata dhe kolegjiumet tjera që funksionojnë në kuadër të AKK-së kanë brenga. Na duhet bashkëpunim dhe koordinim më i madh në mënyrë që të kemi një qeveri lokale të fuqishme ashtu siç është e paraparë edhe në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ashtu siç meritojnë qytetarët tanë. Mbesim me shpresë që çështjet dhe sfidat të cilat u ngritën sot nuk do të mbesin të pashqyrtuara. Asociacioni i Komunave të Kosovës është aleat e mbështetës i fuqishme i çdo reforme të ndërmarrë, natyrisht duke qenë bashkërisht realizatorët e saj, me përvojat që ka niveli lokal dhe vendimmarrjen e mbështetjen që kërkohet nga niveli qendror”, ka thënë ai.
Kryetari i AKK-së thotë se mbesin me shpresën që kjo qasje e deritanishme e qeverisë të ndryshojë pozitivisht. “Presim që bashkërisht të punojmë për ta sendërtuar besimin e qytetarëve, në vepra publike, në plotësim të kërkesave të tyre, në realizim të nevojave zhvillimore që kanë komunat tona”, ka thënë Aliu.