Agim Aliu zgjidhet kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës
Në Kuvendin e Përgjithshëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës që është mbajtur të martën, e që është udhëhequr nga kryetari i deritashëm i AKK-së Imri Ahmeti, është zgjedhur Bordi dhe kryetari i ri për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Në këtë takim, me shumicë votash dhe në bazë të formulës sipas statutit të AKK-së bazuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kryetari i ri i Asociacionit të Komunave të Kosovës është zgjedhur Agim Aliu, kryetar i Komunës së Ferizajt, ndërsa nënkryetar u zgjodh Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit.
Ndërsa anëtarë të Bordit u zgjodhën: Shaqir Totaj – kryetar i Komunës së Prizrenit, Bali Muharremaj – kryetar i Komunës së Suharekës, Xhafer Gashi – kryetar i Komunës së Obiliqit, Sokol Haliti – kryetar i Komunës së Vitisë dhe Dragan Petkoviq – kryetar i Komunës së Parteshit.
Po ashtu Kuvendi i Përgjithshëm i Asociacionit të Komunave të Kosovës me shumicë votash ka aprovuar raportet vjetore të vitit 2021 dhe planet për vitin 2022.
Në këtë takim të Kuvendit janë diskutuar edhe tema të lobimit në interes të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.