Agim Binaku i dha shumë Kosovës
Me rastin e vdekjes së gazetarit Agim Binaku, sot është mbajtur një mbledhjen komemorative, ku u tha se me Agimin iku një gazetar i mirë, një veprimtar i vlefshëm i sportit dhe një kronist i mrekullueshëm.
Në këtë mbledhje komemorative e kujtuan familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe personalitete tjera.
Duke përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e tij, drejtoresha e RTV21, Afërdita Saraqini-Kelmendi, u shpreh mjaft e pikëlluar për mungesën fizike të Agimit në gazetari dhe në jetë. Ajo mes lotësh tha se po ndahen nga miku, shoku i jetës së saj dhe nga njeriu që i dha shumë Kosovës.
Edhe Florin Kelmendi, po ashtu ka shpalosur disa nga momentet e tyre si shokë fëmijërie e si bashkëpunëtorë.
“Na mashtroi shpejt e shpejt, e iku, me Agimin iku një gazetar i mirë i sportit, një veprimtar i vlefshëm i sportit, një kronist i mrekullueshëm”, tha ai.
Kurse, Eugen Saraqini ka ndarë me të pranishmit kujtimet e tij me kolegun e ndjerë, duke e cilësuar atë si pjesë të familjes.
“Mbi 20 vjet kam kaluar një pjesë të jetës me Agimin, në punë dhe jashtë punës, aq kohë sa kam kaluar edhe me familjen time”, u shpreh ai.
Ndërkaq edhe djali i tij, Leart Binaku, mes emocioneve për humbjen e babait, tha disa fjalë:
“Ai ishte i yni si familje, por jo më pak i gazetarisë dhe i gjithë Kosovës”, tha Binaku.
Krejt në fund të kësaj mbledhjeje, përmes një rezymeje të jetës të tij, është shpalosur puna e tij në profesionin prej gazetari, e cila ishte aq e bujshme dhe e përcjellur me plot përkushtim nga Agimi prej vitit 1976.
Agim Binaku, vdiq dje në moshën 62 vjeçare dhe varrimi i tij do bëhet sot në orën 12:00.