Agim Doçi, poeti nga Shqipëria që e deshi si askush tjetër Kosovën

24 qershor 2024 | 20:02

Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare poeti i njohur i letrave shqipe, Agim Doçi, pas komplikimeve që kaloi si pasojë e një hemorragjie cerebrale që pësoi ditë më parë.

Gjendja e Doçit kishte qenë kritike dhe ai nuk ka mundur t’i mbijetojë kësaj goditjeje, pavarësisht se ka marrë trajtim të specializuar në Shërbimin Neurovaskular në QSUT.

Lajmi për vdekjen e Doçit i ka prekur thellësisht, dashamirësit e artit, familjarët e poetit, por edhe miqtë e tij.

Mes tyre, edhe afaristin e njohur kosovar, Remzi Ejupin.

Ky i fundit në një prononcim për Albanian Post, tregoi se nuk e priste fare që poeti të ndahej nga jeta në këtë kohë, derisa zbuloi se kishte komunikuar me të veç tre ditë para se Doçi t’i mbyllte sytë përgjithmonë.

“Lajmi ishte tepër i trishtë, sepse pavërësisht moshës e ligjeve të natyrës, unë s’e prisja ndarjen e tij nga kjo botë, aq më tepër kur para tre ditësh biseduam gjerë e gjatë përmes telefonit”, thotë Ejupi.

“Ai kërkonte biletë për Dyzeldorf, dhe po përpiqesha t’ia gjej lidhjen nga Tirana, sepse kompania ime ka fluturime vetëm nga Prishtina – dhe ai ishte fare mirë, përkundër ankesave të viteve! Sinqerisht u trishtova”, shton Ejupi.

Afaristi rrëfeu edhe njoftimin e parë, thurjen e miqësisë si dhe pak nga vazhdimësia e kësaj shoqërie, Ejupi – Doçi.

“Me Agimin me lidhi vargu i këngës, pra puna me vargun! Alfred Kaçinari me takoi me Doçin, sepse po interesohesha për një këngë, për Lejlën, vajzën time, dhe ai si artist i palodhur që ishte, me shumë dashuri e thuri këngën ‘Babi,babi, pse brengosësh’ dhe që atë korrik të largët të vitit 1997, u bëmë miq të pandashëm”, rrëfen Ejupi.

“Puna me artin kulmoi pikërisht me koncertin ‘Kosova djep lirie’, të cilin e organizova gjithandej Evropës, ku Agimi ishte skenarist i atij homazhi dhe i përzgjodhi këngët me tekstet e veta për Manjolën, Kastriotin, Lejdinën, Arifin dhe bashkëpunoi ngushtë me Mondin, Çunin, Ilirin e Mirushin dhe thuaja se kurrë s’u ndalem së punuari rreth senzibilizimit të djelmoshave në diasporën shqiptare! Këtë ma s’miri e dokumentoi Besfort Hasani në filmin ‘Homazh për Kodovën’ kushtuar atij aktiviteti të atyre 10 artistëve në vitin 1998-99”, shton ai.

Bisedë me të ndjerin Doçi, Ejupi kishte pasur sërish para pak ditësh – e para pak javësh, edhe takim fizik.

“Kam biseduar 4 ditë para ikjes së tij nga kjo botë. Me duket se u lajmëru nga Pogradeci. Nuk di çka e lidhte me “liqenin poetik” të Lazgushit që e kishte përzgjedhur për sosjen e viteve të mbetura. Ai ishte mirditor dhe prisja ta ndërtonte një kullë guri dhe atje t’ia thoshte vargut; – perlës që rrallë kush e shkroi si ai”, thotë afaristi tutje.

“Ndërsa fizikisht jemi takuar para një muaji në Tiranë, dhe si zakonisht ai e citonte Fishtën, sepse si duket ai kishte qenë inspirimi i tij jetësor”, shton ai.

Ejupin e pyetëm edhe mbi ndikimin dhe impaktin që kishte Doçi në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë – ai thotë se “nuk ekziston dikush nga Shqipëria, që e ka dashur më shumë Kosovën”, sesa poeti i ndjerë, të cilin ai e thërret me nofkën – Gimi.

Afaristi i shquar nuk i kurseu kritikat për institucionet shtetërore në raport me Doçin.

“Doçi ka bërë shumë për luftën e Kosovës, kuptohet, për mes vargut patriotik dhe nuk gjendet edhe një tjetër ta ketë dashur Kosovën me aq shpirt siç e donte Gimi! Ai ishte më shumë kosovar se sa mirditor dhe kosovarët e kanë çmuar tej mase”, thotë ai.

“Dashuri të pafundme i kanë dhënë kosovarët edhe pse institucionet shtetërore pak e hiç kanë bërë për të! E them këtë sepse krijuesve, (artistëve) të tillë, Kosova dhe Shqipëria do të duhej t’i jepnin një pension dinitoz, nacional, që të jetonte pa brengat financiare”, shton ai.

Në anën tjetër, këngëtarja Leonora Jakupi, në një prononcim të shkurtër për ne, e cilësoi Doçin si “të pazëvendësueshëm”.

“E kemi humbur një njëri që nuk zëvendësohet, ka qenë i jashtëzakonshëm në çdo aspekt”, tha Jakupi.

Në një postim në mediat sociale, artistja kosovare publikoi një imazh të poetit Doçi, teksa mbishkroi “Lamtumirë mjeshtër i fjalës, mjeshtër i poezisë! Ti dhe veprat dua do mbeten të pavdekshme”.

Agim Doçi kishte shkruar një prej këngëve më ikonike të repertuarit të Leonora Jakupit – “A vritet pafajësia” – kënga që bëri jehonë gjithandej, me tekst të frymëzuar nga lufta e fundit në Kosovë.

Por, kjo s’ishte e vetmja, sigurisht – mes këngëve të tjera të Leonorës, edhe “Zgjohuni shqiptarë” ishte një nga perlat e Jakupit e shkruar pikërisht nga Doçi.

Për të ndjerin Doçi, shkroi edhe këngëtarja e muzikës komerciale, Dafina Zeqiri.

Duke ndarë një imazh të poetit që u nda nga jeta, Zeqiri zbuloi për ndjekësit, se Doçi ia kishte shkruar këngën e saj të parë të destinuar për tregun shqiptar të muzikës – “Harrimi i dashurisë”.

“U prehsh në paqe, teksti i këngës sime të parë shqipe ‘Harrimi i dashurisë’, e punuar nga ti, do të mbetet gjithmonë një nga projektet e mia favorite”, shkroi Zeqiri mes tjerash.

Kujtojmë se Doçi lindi më 9 maj të vitit 1948. Ishte një poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar.

Ai ishte arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale, duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç e Poligrafik Tiranë.

Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë.

Në vitin 1989 ishte dënuar duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Teksa, më pas, u përfshi në lëvizjet e dhjetorit të vitit 1990.

Ai është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Festivalin Evropian të Këngës “Eurovision Song Contest”.

Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës.

Mund të përmenden kënge shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”dhe “A vritet pafajësia”.

Ka botuar disa libra me poezi si “Hajde dru me pre”, “Rrëzuar mbi vetminë” e “Rituali i kryqëzimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Spanjës,…