Agim Mazreku përfaqëson Kosovën në Samitin për ndryshime klimatike të OKB-së
Analisti i politikave për ndryshime klimatike, Agim Mazreku, është i vetmi kosovar që ka përfaqësuar Kosovën në Samitin e parë të klimës rinore të Kombeve të Bashkuara dhe në Samitin e aksionit të klimës së OKB-së për vitin 2019 që është mbajtur nga 21 deri më 23 shtator në Nju Jork.
Në një prononcim për “Klan Kosova”, ai ka treguar se ka folur për Kosovën në shumë mbledhje duke përfshirë edhe këtë të fundit ku morën pjesë shumë udhëheqës të vendeve të ndryshme.
“Po, jam duke marrë pjesë në Samitin për ndryshime klimatike të OKB-së. Në gusht, Kombet e Bashkuara shpallën 100 kampionë të rinj të shquar të klimës nga e gjithë bota për të marrë pjesë në Samitin e parë të klimës rinore të Kombeve të Bashkuara dhe Samitin e aksionit të klimës së OKB-së për vitin 2019. Nga një grup prej më shumë se 7 000 aplikantësh, unë u zgjodha të jem një nga 100 marrësit e Biletës së Gjelbër apo (Green Ticket)”, ka thënë ai.
Ai ka bërë me dije se se bisedimet e OKB-së rreth ndryshimeve klimatike i ndjek që nga marrëveshja e Parisit në vitin 2015.
“Në asnjë nga mbledhjet, qoftë edhe ato të nivelit të lartë, nuk kam takuar kosovarë. Në këtë Samit, unë jam i vetmi nga Kosova, mirëpo jam në cilësinë e një kampioni për ndryshime klimatike nga Kosova”, ka thënë ai.
Aktivisti për ruajtjen e ambientit tregon se në këto takime flitet për Ballkanin, me ç’rast ky ka shfrytëzuar rastin ta përmend edhe Kosovën.
“Flitet për Ballkanin. Unë kam folur për Kosovën në shumë mbledhje. Kam folur për punën time dhe të rinjve të tjerë në Kosovë, si dhe potencialin që ka Kosova për energji të ripërtërishme”.
“Fatkeqësisht qeveria jonë favorizon termocentrale në një kohë ku e gjithë bota pritet të shpallë ndryshimet klimatike si emergjencë (pasi që edhe është emergjencë)”, ka thënë Mazreku.
Ai ka shtuar se në samit ka pasur përfaqësim qeveritar të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, mirëpo nga 100 të përzgjedhurit ishte ai i vetmi nga Kosova.
“Ishim vetëm unë, një djalë nga Serbia veriore me veprimtari në Hungari, si dhe një grek që nuk mundi të vinte”, është shprehur ai.