Agim Nura rizgjedhet kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjakovë
Agim Nura është rizgjedhur edhe për një mandat të ri katërvjeçar kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjakovë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka përgëzuar Nurën për rizgjedhjen në postin e kryetarit të LRFGj-së. Ademi e ka premtuar se do të vazhdohet me investime të mëtejshme në përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e talenteve.
“Sot, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti, pata kënaqësinë të marrim pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjakovës. Gjatë këtij kuvendi, me vota unanime, Agim Nura u rizgjedh për një mandat të ri katërvjeçar si kryetar i LRFGj-së. E përgëzova për rizgjedhjen dhe e falënderova komunitetin e futbollit në trevën e Gjakovës për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin zhvillimit të futbollit. Angazhimi ynë do të vazhdojë me investime të mëtejshme në përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e talenteve”, ka shkruar Ademi.