Agim Sulaj fiton çmimin e parë në Festivalin e Karikaturës

14 gusht 2019 | 16:47

Artisti vlonjat u vlerësua në Brazil për karikaturën e Presidentit Donald Trump. Çmim prestigjioz që i shtohet koleksionit të trofeve të marra që nga viti 1979

Artisti Agim Sulaj është fitues i çmimit të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Piracicaba të Brazilit. Vepra fituese e artistit të njohur shqiptar u vlerësua këtë vit për karikaturën e presidentit Donald Trump. Ishte një çmim i dhënë nga këshilli bashkiak i Piracicabas dhe përzgjedhja e 2176 veprave të ardhura nga gjithë bota nxori fituese veprën e artistit Agim Sulaj, për karakteristikën e saj të veçantë. Nëpërmjet një dore të jepet karakteri dhe ngjashmëria në tërë madhështinë e saj.

Ky festival këtë vit ishte në 46-vjetorin e tij dhe ka promovuar fitues artistë të artit të satirës nga më të njohurit në botë. Me një aktivitet të vlerësuar me punët e tij, këtë herë për vlerësimin e radhës në Brazil artisti Agim Sulaj shprehet se e priste çmimin e madh. “Ky vlerësim i dedikohet një vepre për të cilën, që ditët që e realizova e dija që do të fitoja. Nga eksperienca personale veprat fituese kanë një “llambushkë” të veçantë, e cila më vjen gati. Thjesht mua më mbetet vetëm realizimi” pohon ai.

Artistit Agim Sulaj, i lindur në vitin 1960 në Vlorë dhe që sot jeton në Rimini, Itali i shtohet ky çmim tjetër prestigjioz, i cili pasuron larminë e vlerësimeve ndërkombëtare. Sulaj cilëson me ironi, që vendi ku nuk ka marrë çmim është vetëm Shqipëria. Madje sipas tij edhe një ide projekt, që paraqiti në bashkinë e qytetit të Vlorës vitin e kaluar nuk u aprovua. Por ky vit ka qenë i frytshëm për karrierën artistike të Sulajt, ku mund të përmendim çmime të tjera si Belgjikë Knokke Heist, përsëri Belgjikë në Kruishoutem, Prishtinë, Norvegji e Turqi. Agim Sulaj 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni (revistë)”, e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj.

Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini, që është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta dhe merr vlerësimet maksimale kudo. Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit. Krah ekspozitave të ndryshme që ai ka qenë pjesmarrës në botë si në shumë ekspozita në Itali, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg, vjen rregullisht edhe në Shqipëri. Gjithashtu ai ka dhe një shumësi çmimesh në karrierën e vet. Në vitin 1979  është fitues në garën tradicionale vjetore të satirave dhe humorit të organizuar nga revista ironike të kohës ‘’Hosteni’’ për karikaturën “Elegy”.

Çmime

1998 – Çmimi i parë në “Eurohumor”, Cuneo (Itali)

1999 – Çmimi i nderit për Konkursin Ndërkombëtar të Karikaturistëve, Tolentino (Itali)

2000 – Çmimi i konkursit ndërkombëtar “Omaggio a Charles Shulz” në Cuneo (Itali)

2002 – Çmimi Ndërkombëtar Special “Eurohumor”, në Cuneo (Itali)

2003 – Fitues i dy çmimeve të veçanta në Festivalin Ndërkombëtar të Artit Humoristik në Tolentino (Itali)

2004 – Fitues i “Festivalit të Humorit” në Cuneo (Itali)

2005 – Çmimi special në garën evropiane të karikaturës “Shtëpia e piktorit” (Belgjikë)

2005 – Çmimi Special në Festivalin e 23-të Ndërkombëtar të Artit Humoristik, Tolentino (Itali)

2017- Ka marrë dy çmimet e Portugalisë. Çmimi i dytë në konkurrimin ndërkombëtar me veprën e plastikës në qytetin Porto, si dhe çmimi i dytë në Espinhal po në Portugali me veprën “Cikli i jetës”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëna e Rita Orës është duke vazhduar të qëndrojë në…