Agim Veliu: Përmbahu Haki!

26 mars 2020 | 21:45

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka vazhduar akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Pasi Avdullah Hoti i kthej përgjigje dhe tha se Abazi është një njeri i ligë dhe se nuk meriton respekt, Abazi ka replikuar ndaj Hotit, të cilin e ka quajtur postier të Mustafës dhe një mashë e Thaçit.

Ndaj reagimit të Haki Abazit tash ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka parashtruar një pyetje për Abazin: Më duhet ta bëj një pyetje: argat i kujt je ti?

“E dimë se ke bërë turr të marrësh bajrakun të dëshmohesh si më i devotshmi dhe më i zëshmi i ushtrisë propagandistike, por kjo nuk të jep të drejtë të bësh shpifje e fyerje. Përmbahu Haki!”, ka shkruar Veliu.

Postimi i plotë i Agim Veliut:

Njeriu që nuk la njeri brenda e jashtë LDK-së pa përgjëruar që t’i hapej dera e Lidhjes Demokratike, që të akomodohej tek ne, tash vjell vrer e helm ndaj partisë që mbeti një ëndërr e pa realizuar e tij.
Haki Abazi, derisa drejtonte një fondacion, përmes miqve të mi disa herë bëri përpjekje të më takonte me qëllim që të bëhej pjesë e LDK-së, por asnjëherë s’ia ofrova një rast të tillë.
Njeriu i konspiracioneve, që lakoi emra për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, kurse për vdekjen në burg të Astrit Deharit i bëri përgjegjës aktivistët VV-së, tash i akomoduar pikërisht në VV, po bën avokatin më të zëshëm të tyre, duke akuzuar e shpifur ndaj zyrtarëve të lartë të LDK-së. Në fakt, ai veç po e tregon fytyrën e vërtetë.
Haki, me gjithë respektin më të lartë për babin tënd, i cili ishte një veprimtar e aktivist i palodhshëm i viteve ’90-ta, më duhet ta bëj një pyetje: argat i kujt je ti?
E dimë se ke bërë turr të marrësh bajrakun të dëshmohesh si më i devotshmi dhe më i zëshmi i ushtrisë propagandistike, por kjo nuk të jep të drejtë të bësh shpifje e fyerje. Përmbahu Haki!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shkrur në llogarinë…