Agimi që nuk perëndoi kurrë

11 prill 2025 | 23:14

Shkruan: Hisen Berisha

11 Prill – Dita e Dëshmorëve të Koshares – Përjetësimi i komandant Agim Ramadanit, arkitektit të fitores dhe simbolit të një epoke.

Në këtë 11 prill të nderimit dhe krenarisë, kujtojmë me respekt dhe dashuri rënien heroike të komandant Agim Ramadanit, strategut të betejës së Koshares, që i fali lirisë së Kosovës jo vetëm pushkën, por edhe shpirtin e tij të madh dhe vizionin e një atdheu të bashkuar.

Agimi nuk ishte thjesht ushtarak. Ai ishte frymëzim, penë dhe pushkë, mendje dhe guxim.
Me urtësinë e një artisti dhe ashpërsinë e një luftëtari, komandoi në një nga operacionet më vendimtare të luftës: heqjen me forcën e armës të kufirit në mes shqiptarëve, në Koshare – kufirit të vendosur dhunshëm, që ndante kombin në emër të padrejtësisë.

Më 11 prill 1999, në kulmin e betejës dhe të vetë sakrificës, komandant Agimi ra, por nuk u shua. Ai u përjetësua. Ra për të jetuar përjetë në çdo flamur që valon, në çdo djalë e vajzë që mëson për lirinë, në çdo ushtar që betohet për ta mbrojtur këtë tokë të shenjtë.

Kosharja pa kufi u bë legjendë, sepse kishte prijës një njeri që nuk pranoi kurrë robërinë si realitet, por si plagë që duhej shëruar me guxim dhe me drejtësi.
Ai e dëshmoi se komandanti i vërtetë nuk udhëheq nga prapavija, por ecën përpara – me zemrën si busull, vëllezërit e armës krah dhe popullin si frymë.

Në këtë ditë të lavdisë dhe kujtimit për të rënët në betejën e Koshares, ne nuk vajtojmë dëshmorët, as kryekomandantët e tyre – por festojmë përjetësimin e tyre.
Sepse Agimi i Kosovës nuk perëndoi – u ngjit në amshim, si yll udhërrëfyes i brezave që vijnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot heroin Agim…