Agjencia britanike për krime po heton fushatën për Brexit
Agjencia Kombëtare për Krime në Britani është duke hetuar biznesmenin Arron Banks dhe fushatën e tij “Leave. EU” për shkelje që mund të jenë kryer gjatë fushatës së vitit 2016 në referendumin për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Banks dhe një tjetër figurë e rëndësishme e fushatës, Liz Bilney janë dërguar në këtë agjenci nga Komisioni Zgjedhor.
Ky vëzhgues ka thënë se dyshon se fushata është financuar me para që kanë ardhur nga “burime të palejueshme”.
Banks ka dënuar çdo keqbërje dhe ka thënë se ka mirëpritur hetimin e Agjencisë Kombëtare për Krime.
Ai ka thënë se “një hetim bindës dhe i sinqertë do t’i japë fund supozimeve qesharake kundër meje dhe kolegëve të mi”.
“Nuk ka të dhëna për ndonjë keqbërje nga kompanitë që zotëroj unë. Unë jam taksapagues britanik dhe nuk kam pranuar kurrë donacione të huaja. Komisioni Zgjedhor nuk ka ofruar të dhëna kundërthënëse”, ka thënë ai në një deklaratë.
Ai ka pretenduar se Komisioni Zgjedhor ka vepruar “nën presion të madh politik nga mbështetësit kundër Brexitit”.
Hetimet e Komisionit Zgjedhor janë fokusuar në 2 milionë funta që është raportuar t’i jenë huazuar kompanisë që ka drejtuar fushatën kryesore për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Përveç kësaj shume, ky komision është duke hetuar edhe 6 milionë funta tjerë që lidhen në fushatën.
Shefi ligjor i komisionit, Bob Posner, ka thënë se “ne kemi arsye për të dyshuar se paratë që i janë dhënë kompanisë së fushatës kanë ardhur nga burime të palejueshme dhe se zoti Banks dhe zonja Bilney, personat përgjegjës për fushatën, kanë fshehur me qëllim rrethanat e vërteta se si janë pranuar të hollat”, raporton “Rel”.
Referendumi i mbajtur në qershor të vitit 2016 në Britani ka kërkuar nga qytetarët të tregojnë mendimin e tyre nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të largohet nga Bashkimi Evropian.
Në bazë të rezultateve, 51 9 për qind kanë votuar në të mirë të largimit dhe 48.1 për qind kundër.
Pas këtij rezultati, Britania pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars të vitit 2019.