Agjencia e Inteligjencës Ushtarake pritet të funksionalizohet këtë vit
Agjencia që fillet i ka gati që dy vite, tek në shtator të vitit të 2023 arriti të miratoj projektligjin veç në lexim të parë.
Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes po merr goxha kohë për themelim, por optimizëm ka se do të përmbyllet këtë vit.
Kështu shprehet ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, që thotë se kohë shtesë do të marrë edhe trajnimi i stafit të Agjencisë, e cila nga kompetencat në disa raste ia kalon edhe AKI-së.
“Projektligji ka kaluar leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pritet që, gjatë këtij muaji të kalojë edhe leximi i dytë, për ti hapur rrugë Agjencisë së Inteligjencës, të mbrojtjes dhe sigurisë për tu funksionalizuar, normalisht kërkohen edhe disa hapa të tjerë për ta bërë plotësisht funksional, duke përfshirë dokumentacionin shtesë, që I nevojitet këtij ligji, për tu funksionalizuar kjo agjenci, mes tjerash edhe aktet nënligjore siç janë rregulloret”, ka deklaruar Maqedonci.
Për AISM-in që është akronimi i kësaj agjencie ushtarake të Inteligjencës, ish-ushtaraku Nuredin Ibishi thotë se do të jetë projekt kompleks.
Ai fton institucionin e sigurisë të ketë kujdes me kompetencat e tij dhe këshillon që mos të harrohet se në Kosovë ka akoma misione ndërkombëtare ushtarake e policore.
“Të ketë kujdes me gjitha implikimet apo impaktet që mund t’i ketë ky ligj, filluar nga prezenca e ndërkombëtarëve, edhe detyra prioritare që ka të bëjë me zbulimin dhe kundër zbulimin qoftë në vend qoftë jashtë për personelin e FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duhet të kemi kujdes sidomos me autorizimet sepse këto shërbime nuk kanë të drejta ekzekutive, dhe andaj duhet të kemi kujdes që mos të ketë probleme as brenda e as jashtë”, ka thënë ish-ushtaraku Nuredin Ibishi.
Drejtori i kësaj agjencie do t’i raportojë Ministrit të Mbrojtjes, e ky i fundit Presidencës e Kryeministrit.
Por edhe ministrin e edhe drejtorin e AISM-it në raportim mund t’i ftojë edhe Komisioni parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje.
Pjesëtarët e saj do të jenë vetëm ushtarakë, përveç stafit civil, dhe numri i tyre do të jetë konfidencial.