Agjencia e Kosovës për Akreditim përjashtohet nga EQAR-ja
Ndërhyrja e politikës në arsim, ka bërë që Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) të përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Kjo ka ndodhur për shkak të vendimit që është marrë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit dhe të menaxhmentit të AKA-së.
Në dokumentin e vendimit të EQAR-së është thënë: “Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ka konstatuar se, si pasojë e shkarkimit të bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ministri Shyqyri Bytyqi, agjencia më nuk është e aftë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe nuk është më në një pozitë që merr ‘përgjegjësi të plotë për veprimet e veta’, siç kërkohet nga standardi 3.3 i ESG-së”.
“Komiteti i Regjistrimit nuk ka mundur t’i identifikojë rrethanat që e arsyetojnë shkarkimin nga ministri- shkarkim i cili ka pasur efekte të dëmshme në pavarësinë dhe aftësinë e Bordit për të funksionuar pa pasur rrezik serioz të ndikimit nga palët e treta”, është thënë në këtë dokumentin njoftues të EQAR-së.