
Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon për kujdes të shtuar: Të shmanget ndezja e zjarreve në natyrë
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se sipas raporteve të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, në nivel vendi është vërejtur një shtim i zjarreve.
Sipas kësaj agjencie, një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku kanë përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre.
“Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, MPB, apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112. Ky numër është falas nga të gjithë operatorët e komunikimit elektronik në Kosovë”.
“Kujdesi dhe veprimi i shpejtë i secilit mund të ndihmojë në parandalimin e dëmeve të mëdha në mjedis dhe rrezikut për jetën dhe pronën e qytetarëve”, është thënë në njoftimin e kësaj agjencie.