Agjencia e Punësimit pa drejtues, vonesat e pagave shqetësojnë punonjësit e angazhuar përmes saj

13 nëntor 2024 | 17:07

Mungesa e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë së Punësimit të Kosovës (APRK) po shkakton vonesa në ekzekutimin e pagave për disa punonjës të angazhuar përmes saj. Insajderi ka pranuar ankesa nga punëtorë që nuk kanë marrë pagat e tyre dhe ka pritur prej dy javësh përgjigje nga APRK dhe Ministria e Financave për sqarime zyrtare mbi situatën Insajderi ju sjell detajet.

Një punëtor i punësuar në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Kosovës, në kushte anonimiteti, ka deklaruar për Gazetën Insajderi se nuk ka marrë pagë që nga muaji tetor, duke përmendur se kjo situatë ka ndodhur për shkak të mungesës së një drejtuesi në agjenci.

“Që nga muaji tetor nuk kemi marrë paga nga APRK-ja,” tha ai, duke sqaruar se agjencia është e obliguar të kryejë pagesa mujore për punëkërkuesit e punësuar përmes saj.

Aktualisht, Agjencia e Punësimit është pa Drejtor Ekzekutiv dhe pa zëvendësdrejtoreshë, pasi mandatet për të dy pozitat kanë skaduar.

Agjencia në një përgjigje për Insajderin ka konfirmuar se, procedura për përzgjedhjen e një drejtori të ri ka dështuar, meqenëse asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur pragun minimal prej 70% të pikëve në konkurrim.

“Procedura e konkurrimit për Drejtor Ekzekutiv ka dështuar, ngase sipas komisionit asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur mbi pragun minimal të 70% të pikëve. Po ashtu, për këtë procedurë është parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, dhe ne jemi në pritje të vendimmarrjes nga KPMSHCK,”.

Ata thanë se zyrtarët e agjencisë kanë marrë pagat në kohë, megjithatë, nuk kanë sqaruar nëse kjo vlen edhe për punëkërkuesit që janë punësuar përmes agjencisë.

“NJMBNJ konfirmon se të gjithë zyrtarët e APRK kanë marrë paga siç çdo muaj tjetër,” thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Sipas punëtorit anonim, vonesat në pagesa janë konfirmuar edhe nga zyrtarë të agjencisë, të cilët kanë theksuar se kjo situatë është rezultat i skadimit të mandateve të drejtuesve kryesorë të agjencisë.

“Në disa telefonata të bëra për të kërkuar shpjegime, vetë zyrtarët kanë konfirmuar se kjo është një problematikë që prek të gjithë punëkërkuesit e angazhuar përmes Agjencisë,” shtoi ai.

Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Financave për të sqaruar nëse është planifikuar një afat për emërimin e drejtorit të ri apo ndonjë veprim të përkohshëm për të mbështetur agjencinë në ekzekutimin e pagave, por ministria nuk ka kthyer ende një përgjigje.

Një konkurs për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës ishte hapur edhe para afro 4 muajve. Përkundër thirrje pozita po vazhdon të mbetet vakante. Theksojmë se pozitën e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Punësimit deri në fund të muajit shtator e mbante Jehona Rexha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MAX CLEANING MC 02-ADNA HAMZA SADIKU B.I, shpall te pavlefshme…