Agjencia evropiane paralajmëron sezon të ashpër të gripit për të moshuarit
Sezoni i gripit që po vjen në Evropë mund të jetë i ashpër për të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët, paralajmëroi të martën agjencia e BE-së për shëndet publik, duke shtuar se gripi mund t’ua rëndojë barrën sistemeve shëndetësore tashmë të ngarkuara nga pandemia e koronavirusit.
Nënlloji kryesor i raportuar i virusit të gripit në Bashkimin Evropian dhe në Zonën Ekonomike Evropiane i prek në mënyrë të pabarabartë të moshuarit dhe lidhet me efikasitet më të ulët të vaksinës, tha Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.
“Vërejtja e hershme e nënllojit A (H3N2) është tregues se sezoni i gripit që po vjen mund të jetë i ashpër, ndonëse nuk mund të dimë me siguri se si do të duket sezoni i gripit”, ka thënë Pasi Penttinen, drejtor i programit për gripin në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.
Zyrtari u ka bërë thirrje punëtorëve shëndetësorë që të vaksinohen edhe kundër Covid-19, edhe kundër gripit para dimrit dhe shtoi se distanca fizike e masat higjienike janë të rëndësishme për të gjithë e posaçërisht për ata që punojnë në shtëpitë e kujdesit dhe në mjedise ku ofrohet kujdes shëndetësor.
Rreth 20 për qind e popullsisë preket nga gripi çdo vit. Të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike janë më të rrezikuarit nga ndërlikimet më të ashpra të shkaktuara nga gripi, tha agjencia evropiane.