Agjenda e dialogut pritet të dakordohet para takimit të radhës Kurti-Vuçiq

20 qershor 2021 | 13:18

Agjenda e dialogut Kosovë-Serbi pritet të dakordohet para takimit të dytë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Parimisht  Kurti dhe Vuçiqi janë pajtuar që takimi i radhës të mbahet më 25 korrik. Pavarësisht kësaj, nga Lëvizja Vetëvendosje  kanë thënë se data  e takimit duhet të konfirmohet pasi ka dallime mbi vijueshmërinë e diskutimeve.

Ndërsa njohësit e procesit të dialogut kanë thënë se para takimit Kurti-Vuçiq duhet të ketë një takim të raungut më të ulët për përgatitjen e këtij takimi dhe për pajtueshmërinë e kornizës së negociatave.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë për “Kosovapress” se takimi i parë i kryeministrit Kurti me palën serbe ka dëshmuar qasjen ndryshe të tyre për dialogun me Serbinë.

“Qëndrimi dhe pozicionimi i kryeministrit në dialogun me Serbinë̈ ka qenë mjaft i qartë dhe ka treguar se ne jemi të gatshëm të tregohemi konstruktiv, derisa jemi brenda kornizave që ne konsiderojmë se nuk duhet të dalim. Prandaj vet qëndrimi i Albin Kurtit si kryeministër dhe propozimet që i ka nxjerr, tregon që ne  kemi qasje ndryshe dhe po dëshirojmë t’i qasemi ndryshe nga të tjerët. Prandaj kemi shkuar edhe propozime të reja dhe jo të vazhdojmë̈ aty ku kanë mbetur dhe kanë lënë të tjerët… Parimisht janë̈ dakorduar që të mbetet 25 korriku data kur do të jetë takimi i radhës, megjithatë̈ e dimë që nuk ka një konfirmim se nuk ka pasur pajtueshmëri për agjendën që pritet të jetë pjesë e dialogut”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se nevojitet një takim paraprak ndërmjet palëve, para se të ndodh ai në mes të Kurtit dhe Vuçiqit.

Ai ka thënë se takimi mund të jetë i një rangu më të ulët politikë për ta vendosur kornizën e negociatave gjatë muajve në vijim.

“Kjo pastaj do të hapte rrugë që në nivel teknik, të fillojnë në nivel diplomatik negociatat për një gamë çështjesh teknike dhe thelbësore që përbëjnë mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky raund negociatash pastaj diplomatike do të ishte le të themi përgatitje e terrenit për takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq, ku dy liderët do të mund të konfirmonin negociatat diplomatike, ose të mbyllnin një raund të dakordimeve që janë bërë, ose të përmbyllin gjithë raundin negociator”, ka thënë Shasha.

Por, para këtij takimi të dytë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se duhet të hartohet një platformë për dialogun në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka dilemë që kjo çështje është e ndjeshme dhe fjalën e fundit duhet të ketë Kuvendi i Kosovës, vendi ku mishërohen qëndrimet pro dhe kundër. Hartimi i një platforme dhe miratimi i saj nga Kuvendi është domosdoshmëri sepse miratimi i saj do të paraqiste bazamentin e ecjes përpara të ekzekutivit kosovar”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Malishevës ka njoftuar se ka arritur marrëveshje për…