AGK-ja dënon ashpër kërcënimin ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë me dije se e kanë marrë me shqetësim informacionin se është tentuar të digjet vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi.
AGK-ja ka kërkuar nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë.
“Kajtazi përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka bërë të ditur se mbrëmë në rrugën ‘Evlia Çelebia’ në Mitrovicë, një person kishte tentuar t’ia digjte me benzinë veturën e tij. Këtë akt, sipas gazetarit e kanë parandaluar banorët e kësaj rruge, të cilët e kishin njoftuar edhe Policinë e Kosovës”.
“Sipas Kajtazit, PK-ja ka siguruar një videoincizim ku duket kryesi, e po ashtu forenzika ka gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina. AGK-ja menjëherë ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës që të marrë më shumë informacione rreth këtij rasti”.
“AGK-ja kërkon nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë”, ka reaguar AGK-ja.