AGK-ja denoncon fushatën e rrezikshme akuzuese të deputetëve të LVV-së kundër “Periskopit” dhe “Nacionales”
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me fushatën e re të Lëvizjes Vetëvendosje kundër medieve në Kosovë.
Deputetët Sali Zyba dhe Dimal Basha, kanë shpërndarë një artikull të një mediumi të quajtur “Slobodna Bosna” (shqip: Bosnja e Lirë) nëpërmjet të cilit ata akuzojnë medie në Kosovë që, sipas tyre, “janë nën kontroll të Serbisë dhe Vuçiqit”.
Deputeti Zyba në një status në Facebook shkruan: “Dy medie të Kosovës iu përmendën emra, Periskopit dhe Nacionales”. Të dy deputetët, dhe eksponentë të tjerë të Vetëvendosjes kanë shpërndarë një artikull të publikuar në faqen online të Transmetuesit Publik, RTK, që pa autor, ka përkthyer tekstin e mediumit boshnjak.
Shkrimi i “Slobodna Bosna”, bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, me emrin Boban Bogdanoviq, që thotë se është disident politik serb.
AGK-ja, dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty.
Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre.
“I bëjmë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre”.