AGK-ja dhe KMShK-ja kërkojnë nga qeveria ta tërheq projektligjin për ‘kontrollimin e mediave të shkruara’
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) së bashku me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme, ku i ka bërë thirrje qeverisë Kurti që të tërhiqet nga projektligji të cilin e cilëson se po bëhet për “kontrollimin e mediave të shkruara”.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se këtë projektligj e konsideron si një përpjekje të Qeverisë Kurti për t’i kontrolluar mediat, raporton Klan Kosova.
“Këto ndryshime ne i shohim si një përpjekje të re të qeverisë aktuale që të sulmojë mediet dhe tendencë për t’i kontrolluar ato sepse parashihet që KPM-ja t’i kontrollojë, monitorojë dhe t’i ndëshkojë nëse ka nevoje mediat online që kanë përmbajtje të videove duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në një mënyrë të veçantë”.
“Këtë e shohin si një tjetër përpjekje dhe sulm të qeverisë ndaj lirisë së medieve sepse konsiderojmë se rregullimi i deritashëm duhet të vazhdojë dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimit të medieve”, është shprehur Rexha.
Rexha i ka ftuar në dialog të gjithë të interesuarit duke përfshirë mediet dhe shoqërinë civile, në mënyrë që të jenë në gjendje që ta bëjnë punën e tyre pa presionin politik.