AGK-ja e dënon gjuhën seksiste të Ismet Munishit ndaj gazetares Qëndresa Krelani
03 tetor 2023
| 13:14
Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i konsideron të papranueshme, denigruese dhe seksiste komentet e trajnerit të futbollit, Ismet Munishi bërë në një emision televiziv ndaj gazetares së sportit në Radio Televizionin e Kosovës, Qëndresa Krelani.
“Gjuha e tillë nuk ka vend në diskursin publik të asnjë sektori, dhe as në sport kështu që nuk duhet të lejohet”, shkruhet në reagimin e publikuar nga AGK-ja.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Krelani është vetëm njëra nga shumë pak gra që punojnë në gazetarinë sportive dhe kjo gjuhë shërben për dekurajimin e grave të tjera që të punojnë në këtë fushë.
Ismet Munishi krahas punës si trajner te FC Ferizaj është edhe analist i RTV Dukagjinit.