AGK-ja i reagon Sami Kurteshit: Deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar për sulmin e zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ndaj medieve për rastin Astrit Dehari.
AGK-ja ka thënë se deklarimet e Sami Kurteshit janë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme. “Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka sulmuar mediet gjatë një prononcimi sot për rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.
Kurteshi ka akuzuar ‘Klan Kosovën’, ‘Expressin’ dhe ‘RTK’-në: ‘për rol negative dhe dezinformues, sidomos me nxjerrjen e xhirimeve të paautorizuara. Në atë kohë RTK-ja mbulonte gjithë propagandën kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe arsyetonte arrestimet’. Kjo, është një deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Kurteshit, që akuzon mediet në lidhje me rrethanat e vdekjes në burg të Deharit. Deklarata të tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve të këtyre dy medieve, dhe janë të papranueshme. Rasti Dehari ishte dhe mbetet me interes të lartë për publikun, dhe në atë kohë specifikat e atij rasti ishin ndarë në detaje nga vetë Lëvizja Vetëvendosje. Xhirimet e publikuara nga mediet kanë zbuluar rrethanat e ngjarjes në qendrën e paraburgimit ku pritej siguri e lartë, dhe ka kontribuar në informimin e publikut”, është thënë në reagimin e AGK-së.