AGK-ja: KPM-ja s’ka ofruar argumente bindëse për të ndryshuar Kodin etik

05 shkurt 2020 | 14:17

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndonëse me vonesë ka pranuar përgjigje nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM) lidhur me shqetësimet e ngritura ditë më parë rreth propozimit të KPM-së për ndryshimin e draft-kodit të etikës për ofruesit e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele në Republikën e Kosovës dhe të draft-rregullores për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audio dhe audiovizuele, vlerëson se të dyja dokumentet përmbajnë nene problematike të cilat cenojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e medies.

“Në veçanti, ne jemi të shqetësuar me draft-kodin e etikës i cili rikthen ndalimin e raportimit nga gjykatat. Ju rikujtojmë se Kodi i Etikës i vitit 2010 e ndalonte në tërësi raportimin nga gjykata. Kodi i Etikës i vitit 2016, që është ende në fuqi dhe është hartuar me ekspertizë ndërkombëtare, kishte eliminuar nenet që pengonin raportimin nga gjykatat. Me draft-kodin e etikës, KPM-ja ka rikthyer ndalimin e raportimit nga gjykatat”, ka njoftuar AGK-ja.

Ky asociacion ka theksuar se vazhdojnë të kenë shqetësime për disa nga nenet e propozuara në draft-rregulloren e lartpërmendur.

“Në letrën e KPM-së të nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i saj, Luan Latifi, nuk janë ofruar argumente të mjaftueshme ligjore që do të arsyetonin ndryshimin e Kodit të Etikës apo draft-rregullores. Letra si e tillë nuk ofron referencë të rasteve konkrete të shkeljeve etike në media të monitoruara nga KPM-ja, të cilat raste do të dëshmonin që mediet nuk kanë mundur të mbahen përgjegjëse për shkak të mungesës së bazës ligjore. Tutje, mbetet ende e paqartë nëse KPM-ja ka bërë ndonjë analizë ligjore, si lloj vlerësimi ex-post për të vlerësuar objektivat, efektet e ndërmarra, kostot dhe përfitimet, e akteve nënligjore në fuqi. Ajo po ashtu nuk tregon se në cilat standarde ndërkombëtare është bazuar kur ka propozuar ndryshimet ligjore dhe po ashtu KPM-ja pranon që nuk ka kërkuar ekspertizë ligjore ndërkombëtare, të cilën mekanizëm e ka në dispozicion”, ka njoftuar ky asociacion, duke shtuar se KPM-ja nuk ka argumente bindëse në raport me këto ndryshime.

“Në një situatë të tillë, kur kemi mungesë të argumenteve ligjore bindëse nga ana e KPM-së, aktet nënligjore të përmendura më sipër, sipas nesh nuk duhet të amandamentohen duke u nxituar. Ndryshimet ligjore siç janë propozuar aktualisht, të kundërshtuara fuqishëm edhe nga organizatat kryesore të shoqërisë civile, do të cenojnë seriozisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve në Kosovë. AGK-ja së bashku me znj. Flutura Kusari, siguron KPM-në se do të angazhohet në konsultimet publike të akteve nënligjore të KPM-së në rastet kur ne pajtohemi në parim me qëllimin e akteve nënligjore. Po ashtu, kërkojmë nga KPM-ja që të iniciojë vlerësim ex-post të akteve nënligjore për të identifikuar efektet e akteve nënligjore, problemet eventuale të zbatimit dhe aspektet që duhet të rishqyrtohen”, ka njoftuar AGK-ja.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Gjilanit ka bërë sot një transferim bombastik. Bëhet…