
AGK-ja: Kujtimi dhe kontributi i Alban Bujarit do të mbeten të pashlyeshëm
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të fotoreporterit të shquar Alban Bujari.
“Bujari ishte një ndër emrat më të shquar të fotoreportazhit në Kosovë, i cili e dokumentoi luftën e viteve 1997-1999. Përkushtimi dhe guximi i tij në dokumentimin që nga mediat vendore e deri tek ato më prestigjioze ndërkombëtare si Agjencia Evropiane e Shtypit (EPA), “The Guardian”, “El Pais”, “The Independent”, “Zeitung” e të tjera, u bënë dëshmi për botën mbi realitetin e luftës dhe krizës humanitare në Kosovë”, thuhet në telegramin ngushëllues të AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e tij.
“Humbja e Alban Bujarit është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin e gazetarëve, por për të gjithë shoqërinë. Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të pashlyeshëm”, theksohet në telegramin ngushëllues të AGK-së.