AGK-ja reagon për gjuhën e Veselit ndaj Leonard Kerqukit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi ka theksuar se “e ka marrë me shqetësim njoftimin e kryeredaktorit te Gazetës Express, Leonard Kërquki për gjuhën e përdorur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në një bisedë telefonike lidhur me raportimin e sotëm të Gazetës Express se Veseli ka udhëtuar pasdite për në Hagë për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale”.
“Kërquki megjithatë thekson se lajmi u publikua i bazuar në burime dhe në pamundësi që një gjë e tillë siç thotë ai, të konfirmohet nga zyra e kryetarit të Kuvendit. Sipas, Kërqukit gjuha e kryeparlamentarit ka degraduar gjatë kësaj bisede telefonike në numrin privat të tij përmes Watssapp-it”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja vlerëson se një presion i tillë i politikanëve dhe gjuha e përdorur ndaj gazetarëve është e papranushme dhe nuk i kontribuon krijimit të një ambienti të të bërit gazetari në Kosovë, sidomos sot kur në Ditën Botërore të Lirisë së Shprehjes u bë thirrje që gazetarëve të mos u krijohen pengesa në raportim në interes të publikut.
“AGK-ja kërkon nga z.Veseli dhe politikanët e tjerë që në vend se të ofendojnë e të sulmojnë gazetarët, duhet të jenë transparent para opinionit sidomos për zhvillime të kësaj natyre, shumë me interes për qytetarët e Kosovës”, është theksuar në reagimin e AGK-së.