AGK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e gazetarit Arben Rugova
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngushëlluar për vdekjen e gazetarit Arben Rugova, i cili së fundi ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e gazetarit, Arben Rugova. Ai ka punuar në sektorin e arsimit dhe të politikës në disa media si Koha Ditore, Gazeta Express, Telegrafi, Gazeta Lajmi e të tjera. Rugova punonte së fundi si Zyrtar për Qasje në Dokumente Publike në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës. Për vdekjen e gazetarit Rugova, kanë njoftuar familjarët e të ndjerit në rrjetet sociale. AGK-ja, i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Për vdekjen e Arben Rugovës ka njoftuar sot familjari i tij Ragip Rugova. Ai do të varroset të enjten në Plavë të Malit të Zi. Rugova ka lindur në Plavë të Malit të Zi më 3 maj të vitit 1972.