AGK-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e redaktorit të Radio Kosovës, Musë Preniqi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe kolegët e gazetarit-redaktorit të Radio Kosovës, Musë Preniqi.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës më pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e kolegut – gazetarit dhe redaktorit shumëvjeçar të Radio Kosovës, Musë Preniqi. Vdekja e gazetarit Preniqi është humbje për të gjithë komunitetin e gazetarëve në Kosovë. Emri i tij si një profesionist do të kujtohet përgjithmonë në historinë e gazetarisë kosovare. AGK, ju shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të gazetarit – redaktorit Musë Preniqi”, është thënë në telegramin e ngushëllimit.
Gazetari Musë Preniqi ka lindur me 1948 në fshatin Hade të Obiliqit. Ai mbahet mend për punën e tij profesionale në media elektronike dhe të shkruara në veçanti për raportimet e tij nga greva e minatorëve të Trepçës.
Preniqi ka punuar si redaktor në Radio Prishtinë deri në vitet e ’90-ta. Ai ka qenë redaktor përgjegjës edhe i programit në Radio Kosovë deri ne vitin 2008, ndërsa së fundmi ka qenë redaktor i programit arsimor deri në pensionim.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot me 2 gusht në ora 17:00 në varrezat e Arbërisë në Prishtinë.