AGK-ja: Shumë e rrezikshme dhe e papranueshme gjuha e Sami Kurteshit ndaj AGK-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka deklaruar të enjten se anëtari i Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, është përfshirë të mërkurën në një sulm të radhës, të rëndë kundër medieve dhe gazetarëve.
Duke komentuar reagimet për emërimin e Luljeta Aliut për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, AGK-ja ka theksuar se Kurteshi, ka akuzuar mediet dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”.
“Në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, zoti Kurteshi ka shkruar se ‘AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!’. Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur ‘ekspert/e’ vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it’”, është thënë në reagimin e AGK-së.
AGK-ja, i ka bërë thirrje kryeministrit, Albin Kurti që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë.