AGK-ja: Të ndalen sulmet brutale të Vetëvendosjes kundër Periskopit dhe Nacionales
Sulmet, fyerjet dhe linçimet e zyrtarëve të partisë në pushtet, Vetëvendosje kanë vazhduar me intensitet edhe ditën e enjte. Ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Një asamblist i kësaj partie në Prizren, Selman Sokoli, duke iu referuar gazetarëve të Nacionales dhe Periskopit, ka shkruar ‘këta i paskan dresiratë si zagartë’. Fahri Beqa, i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, ka shkruar në Facebook: ‘Radojçiqi e Vuçiçi të dhanë paratë’, duke iu referuar një lajmi për Ilir Mirenën – drejtues i portalit Periskopi”, ka njoftuar AGK-ja.
Sipas AGK-së, Qëndrim Krasniqi, i Lëvizjes Vetëvendosje në Britani të Madhe ka shkruar se: “portalet po e sulmojnë RTK-në në kor”, me urdhër të Radojçiqit.
“Kjo gjuhë denigruese dhe linçuese, po i vë seriozisht në rrezik të gjithë gazetarët që punojnë në këto dy media, dhe është koha e fundit që Vetëvendosje dhe njerëzit e saj të ndalën nga kjo praktikë e rrezikshme dhe papranueshme”, ka theksuar AGK-ja.