AGK-ja thellësisht e shqetësuar me presionet politike në RTK
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e muajve të fundit në RTK, që kanë rezultuar të dielën me largimin e Shkumbin Ahmetxhekajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar në një letër të organizatave ndërkombëtare të lirisë së medies.
AGK thotë se Ahmetxhekaj, një gazetar shumëvjeçar në Transmetuesin Publik ka treguar për “presion politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.
“Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendim-marrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj.
Bordi aktual, që ka miratuar dorëheqjen e Ahmetxhekajt, më herët kishte emëruar në postin e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvallën, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Qeveria e Kosovës, nëpërmjet eksponentëve të saj, duke përfshirë edhe deputetë, disa herë edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së, që është praktikë e papranueshme”, vijon njoftimi.