AGK-ja thotë se deputetët e LV-së kanë bërë presion publik ndaj gazetares së RTK-së që bojkotoi konferencën e Hajdarit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Valon Ramadani dhe Enver Dugolli, për gazetaren e RTK-së, Edona Podvorica, e cila bashkë me mediet tjera kishin bojkotuar konferencën e djeshme të ministres Rozeta Hajdari.
AGK-ja ka theksuar se ka përcjell me shqetësim presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për medie të ministres Rozeta Hajdari, bashkë me shumicën e kolegëve të medieve tjera.
Reagimi i plotë:
Presion publik i deputetëve të Vetëvendosjes ndaj gazetares së RTK-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjell me shqetësim presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp të Ministres së MINT, Rozeta Hajdari, bashkë me shumicën e kolegëve të medieve tjera.
Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares.
AGK-ja, e konsideron bojkotin e së martës, si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe medieve, dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.
Gjithashtu, AGK-ja e fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren.