AGK-ja: Vazhdon targetimi dhe sulmet e Vetëvendosjes kundër medieve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një reagimi ka theksuar se po vazhdon targetimi dhe sulmet e Vetëvendosjes kundër medieve dhe AGK-së.
“Zyrtarja e Vetëvendosjes, Dejona Mihali ka vazhduar këtë mëngjes sulmet e partisë qeverisëse kundër gazetarëve, medieve dhe AGK-së. Mihali ka kërkuar hetime ndaj medieve të Kosovës për pretendimet e gazetës boshnjake, që sipas saj, ‘është një gazetë investigative, dhe nuk është një gazetë regjimesh’. Mihali gjithashtu i ka bërë thirrje AGK-së, të kërkojë hetime duke shkruar se ‘Asociacioni i gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtetë Vuçiq dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë’”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Për AGK-në, qëndrimi i fundit i Mihalit vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër medieve dhe gazetarëve në Kosovë.
“Thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, që nuk ofron asnjë fakt e dëshmi për pretendimet e veta, është e papranueshme dhe ka për qëllim intimidimin e gazetarëve në Kosovë”, theksohet në reagim.