Agnes Marton, poete e antologjive
Agnes Marton është poete, shkrimtare, libretiste me origjinë hungareze, anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Arteve (Mbretëria e Bashkuar). Botimet e fundit përfshijnë koleksionin e saj “Captain Fly’s Bucket List” dhe katër përmbledhje me botimet Moria Books (ShBA). Ajo fitoi The National Poetry Day Competition në Mbretërinë e Bashkuar dhe, për një antologji që ajo redaktoi (Estuary: A Conluence of Art and Poetry), fitoi Saboteur Award. Poezia e saj është gjerësisht e përfshirë nëpër antologji të ndryshme si, për shembull, “Alice – Ekphrasis at the British Library”, ‘Anthem: A tribute to Leonard Cohen’. Fiksioni i saj u quajt ‘i jashtëzakonshëm’ në Disquiet Literary Contest (USA). Në projektin fitues të Guardian of the Edge 33 të ekspozitës së poezisë, mblodhi artistë të ndryshëm vizualë, të cilët i përgjigjeshin poezisë së saj. Ajo ka qenë poete rezidente në Scott Polar Research Institute, Universiteti i Kembrixhit, në një Research Boat në Arctic Circle dhe, gjithashtu, në Islandë, Itali, Irlandë, Portugali, Kanada dhe ShBA. Aktualisht jeton në Luksemburg.
Të jesh një Iguana[1]
Sa e mërzitshme të hash
Ndiej të jem dobësuar
E zhvoshkur krejt
Si patatet e lira gati për zierje.
Zotëruesi im i ri pyet hallën time Agoninë,
Nëse e përkëdhelura e tij e radhës e urren atë, zotëruesin.
Njëherë u përpoqa ta shpëtoja
Dhe shkova mora zjarr prej Diellit.
E ndërsa jam robinë, unë ndihem edhe dragua.
I ha po vetë malet që kaptoj.
Po zvarritem nëpër akrepat e orës.
Vështroji dhëmbët e mi,
kthetrat e mia të lodhura,
bishtin tim të tharë.
Qëndroj brenda kufijve të mi, por sërish flas.
Zotëronjësi im nuk do të dëgjojë.
I them të më zgjojë për t’i ngrënë vaktet.
Gjithë ç’ha më mbetet në gjuhë
Ai më ka pagëzuar mua me emrin Oimirë,
por unë nuk i përgjigjem asnjë emri.
Njerëzve u pëlqen të zotërojnë nga një monstër
por ajo duhet të jetë
e pafuqishme sa edhe ata
Trashëgimi
Gjyshi im kishte një shpirt prej safari
Ai u largua pa rënë në sy
përpara se kjo gjë të shndërrohej në prirje.
Na dërgoi një bisht luani.
si dhuratë.
Ne e përdorëm si fshirëse pluhurash.
*
Unë mbledh kartolina të vjetra
Ne nuk kemi albume
me fytyra për t’u brohoritur.
*
Macja e kishte gjuhën si të gjyshes sime,
si të nënës sime gjithashtu.
Unë trashëgova heshtjen ulëritëse.
Gruaja kaktus
Ju kërkoni për gjurmë të vetes suaj.
Po ta dinit paraprakisht fundin tuaj të lumtur
ose zbrazëtinë,
a do të luanit së bashku? Apo jo?
A do të zgjidhnit gjithsesi trillet e së pathënës?
Ç’do të bëje për të lehtësuar gjuhën tënde me gjemba,
mbetur ndër himne dhe ninulla?
Ose bërtasim nga prapa
ose vijmë vërdallë, rreth e rrotull,
gjysmë nervoze,
gjysmë të ndjeshëm?
Ti nuk mund të vendosësh apo përcaktosh në është etja,
Ti ndjehesh si një shtyllë kurrizore në rritje.
Mishi yt poroz nuk mund të preket.
Ke arritur në Luginën e Gëzimit, mbytur në pse-ra.
A ke mbërritur? Apo ende jo?
Prej bishës shndërrohem në superbishë
Ti je unë (më drejtohet bisha).
Prej tani
Unë jam streha jote e panjohur.
Frikësoju ëndrrave të mia,
rend gjysmëzgjuar.
Piqu në helmin tim
si qershitë,
ndiqi udhët e mia.
Mos u lut, por tretu
në frymëmarrjen time verore.
Gjymtyrët tona janë
livadhe të mbivendosura,
peizazh i mjegullt mjalti.
Dhëmbët larg nga unë ose unë angulli,
(i drejtohem bishës).
Ngacmim i butë tronditës
duke shkelur gjithçka që mbaj.
Kush mendon ti se je.
Mos më shty drejt mbretërisë tënde.
Kush mendon ti se je.
Më lër vetëm, e ndërtoj vetë botën time.
I frikohem veç vetes, ëndrrave të mia.
M’u zhduk o bishë!
Shtegtim
Ç’ndodh nëse ato shenja qiellore
më tradhtojnë mua gjithashtu?
Sikur dielli të mbarojë
Si gjithçka tjetër
dhe po kështu fusha magnetike e tokës.
Po yjet?
Po sikur të mos ketë më një strehëz të tillë si shtëpia,
ose të jetë një hapësirë e mjaftë për zogjtë sendëtarë?
Çfarëdo të ndodhë
në një mënyrë a tjetër më duhet të shkoj,
me këngën e veriut, dallëndyshen e Arktikut,
zogjtë detarë bishtshkurtër,
një farë kohe duke numëruar ditët,
Pastaj pyetja: “A jam ende atje?”
Po sikur gjithçka të përsëritet?
Do të uroja t’i thosha po një lloj jete
ose të mësoja si të harroja.
Sikur të mund t’i përzija hartat jashtë nga koka ime!
Të besosh në besim
Kur fundosem, humbas sipërfaqen.
Frymëmarrjen e ashpër të ajrit.
Nuk mund të lutem, kurrë s’mësova se si.
Veç përsëris emrat
e miqve që s’i kam parë prej kohësh:
Ortrud Sturm, Fresia Puente,
Maria Teresa na bekon.
Björk
Ja ku jam, unë, Stuhia e Kuqe!
Bërtas për t’u zbutur
dhe pëshpërit t’ju bëj juve të kapërdihemi së bashku,
kalojeni lart, lart, LART!
Mbyte zërin tënd
në përralla të rreme, gosti të bujshme.
Pastaj bashkoju tingujve të pastrehë,
duke i kërkuar ku ndodhen.
Ja ku jam, unë, shtriga me bisht derri,
plot magji të hijshme ujqërish dhe lojëra vogëlushësh,
ja ku jam, duke fluturuar, kali me tetë këmbë i Odinit.
Jam Primadona Shpresëmirë.
Djallushkë Ëmbëlakja jam!
Kërce!
Besoju harqeve ndërmjet kyçeve!
Pagëzoji me nga një emër balonat dhe fishekzjarrët
jepu emra të tillë vendesh si Wirrabilla,
që do të thotë Peshk i Djallosur.
Gazmend, deri në pafundësi. Kërce. Fërgëllo.
Udhëtim mahnitës
S’kam qenë përherë e heshtur.
Dikur këndoja dhe rrëfeja histori.
Tani jam
e hutuar, e largët, diku në askundnajë.
(Strehuar thellë
jastëkësh të rehatshëm).
(Tronditja e humbjes
Është diçka e dobishme).
Tashmë po ndryshoj,
në përshtatje me terrin.
Tashmë eci tutje tëhu
duke u zmbrapsur,
forcë rehabilituese
jam tashmë.
Pastaj plot freski me sy të mjegulluar
projektoj
konturet përfundimtare të dritës.
Solemnitet depërtues.
Atëherë mundem të kuvendoj
krenar
dhe i paprekshëm.
Përktheu dhe përgatiti: Alisa Velaj
[1] Një hardhucë e madhe pemësh, tropikale, amerikane, me një kreshtë gjëmbace gjelberoshe përgjatë shpinës, që rastësisht e mban si kafshë shtëpiake.