Agon Maliqi: Gracka e Vuçiqit është që të krijohet preteksti për eksodin e serbëve nga veriu
Agon Maliqi, analist politik e aktivist i shoqërisë civile, në një artikull autorial të botuar në platformën “Sbunker” të hënën, ka thënë se “gracka e re” në të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, synon ta fusë Kosovën është që të krijohet preteksti për eksodin e serbëve nga pjesa veriore e vendit.
Maliqi ka argumentuar se Serbia e di që Kosova është e humbur, prandaj skenari i eksodit të serbëve, ashtu sikurse kanë paralajmëruar dy figura të njohura publike nga Serbia – Sonja Biserko dhe Nenad Çanak – nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh logjikën operative të nacionalizmit serb.
“Në këtë kontekst, skenari i eksodit të serbëve është skenari ideal i cili do ta ngujonte Vuçiçin në pozitën e viktimizimit nacionalist dhe do t’ia ofronte pretekstin e përkyer në marrëdhëniet me Perëndimin, për të refuzuar çfarëdo diskutimi për njohjen apo edhe zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës – qoftë edhe me njohje de facto – të cilin e siguronte plani franko-gjerman”.
Por, për të realizuar këtë skenar, presidentit serb i duhet roli aktiv i palës tjetër – vazhdimi i qasjes së deritanishme të Qeverisë së Kosovës në raport me veriun dhe me serbët, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova është duke i krijuar parakushtet e përshkallëzimit dhe viktimizimit për Serbinë.
“Ndërkohë që shqiptarët në Kosovë ende e vazhdojnë avazin e trajtimit të serbëve të Kosovës si problem i Serbisë dhe jo si përgjegjësi e vendit. Madje, me eksodin potencial të serbëve, shumë do të ndiheshin të lumtur – Vuçiçi, me gjasë, do t’i presë ata me qilim të kuq në Sanxhak apo zona të tjera të Serbisë ku ka krizë dhe nevojë akute për fuqi punëtore”, ka theksuar Maliqi.
Në një komunikatë të lëshuar më 1 shtator, shërbimi për shtyp i kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se kreut të ekzekutivit i është përcjellë informacioni se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës, posaçërisht atyre që përbëjnë shumicën në veri të vendit, në Sanxhak.