Agon Maliqi: Konkretizimi i marrëveshjes së Uashingtonit, presion edhe mbi BE-në
Analisti Agon Maliqi, thotë për “Radion Evropa e Lirë”, se paralelisht me porosinë që u dërgohet Kosovës dhe Serbisë, që marrëveshja e 4 shtatorit do të konkretizohet shpejtë, vizita e delegacionit amerikan në Prishtinë dhe më pas edhe në Beograd, dërgon porosi edhe për skeptikët, të cilët e kanë parë këtë marrëveshje vetëm si pjesë të fushatës zgjedhore presidenciale të presidentit amerikan Donald Trump.
Për më shumë, kjo vizitë dërgon porosi edhe për Bashkimin Evropian që të dinamizojë pjesën politike të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Shumë shpesh kjo lloj marrëveshje ( e 4 shtatorit në Uashington) reduktohej vetëm në atë idenë e fushatës për presidentin Trump. Mirëpo, konkretizimi i këtyre nismave ekonomike nuk mund të ketë lidhje vetëm me atë. Mund të jetë edhe një formë e presionit, shtysës edhe ndaj BE-së që të ecë më shpejtë me pjesën politike dhe që nëse tregohet e ngathtë, një administratë Trump – besoj vështirë kjo e tanishmja, por ndonjë e dytë eventuale – mund sërish të marrë rol prijës edhe në pjesën politike. Kështu po e lexoj në njëfarë forme këtë”, ka thënë Maliqi.