Agron Kuçi: Çdo devijim nga ky mandat, dërgon Kosovën në rrugë me të panjohura
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka shprehur bindjen se krerët shtetërorë kanë fuqinë dhe përgjegjësinë politike për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me shtetin serb, pa devijuar mandatin qeverisës.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, duke aluduar tek ideja për krijimin e qeverisë teknike, Kuçi ka thënë se çdo devijim nga ky mandat, dërgon Kosovën në rrugë me të panjohura dhe rreziqe.
Postimi i plotë tij:
Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari Kuvendit Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ndonëse të rinj, bashkë patën guximin, vizionin, vendosmërinë të bëjnë luftën si udhëheqësit më të lartë ushtarakë dhe politikë të UÇK-së dhe të kenë Lavdinë për çlirimin e Kosovës deri në lirinë e saj.
Dhe si të tillë sot me përvojën e tyre, ushtarake, politike dhe shtetëformuese, prej Liderësh, (këta dhe jo të tjerët) kanë mandatin jo vetëm kushtetues, shtetëror, kombëtar e qytetar por edhe fuqinë e mundësinë politike, si dhe përgjegjësinë politike, morale e historike për marrëveshje përfundimtare me Serbinë deri në njohje reciproke dhe Pavarësinë e plotë me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizmat tjerë ndërkombëtar.
Çdo devijim nga ky mandat, dërgon Kosovën në rrugë me të panjohura dhe rreziqe, për çka është përgjegjësi ekskluzive e këtyre të katërtëve!!