Agron Kuçi: Kryeministër, ndalini punimet përgjatë lumit ‘Ereniku i vogël’
Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka reaguar në lidhje me vazhdimin e punimeve dhe veprimeve të paligjshme që po bëhen përgjatë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kuçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se nëse vazhdojnë punimet, atëherë kjo do të ndikojë në devijimin e rrjedhës natyrale të këtij lumi.
“Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019″, ka shkruar Kuçi.
Kryetari i Junikut i ka bërë thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që të merr masa.
Postimi i plotë i tij:
F T E S Ë P U B L I K E
I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj!
Po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi!
Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019.
I nderuar kryeministër, veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave.
Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës sonë, ju bëjmë ftesë publike që si kryeministër i vendit dhe kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t’i shfuqizoni këto vendime.
Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm.
Në pritje të vendimit tuaj, ju përshëndes!
Me respekt, Agron Kuçi – kryetari i komunës së Junikut!