Agron Rrahmani ishte vetë lufta
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka përkujtuar heroin Agron Rrahmani, i cili ishte shtyllë e organizimit ushtarak të LKÇK-së dhe promotor i bashkimit të armëve me UÇK-në.
Murati ka thënë se Agron Rrahmani ishte organizator, vizionar dhe aksionist.
“Sot me krenari nderojmë Agron Rrahmanin, shtyllën e organizimit ushtarak të LKÇK-së, promotorin e bashkimit të armëve me UÇK-në, organizatorin, vizionarin, aksionistin e pashoq, njeriun të cilit buzëqeshja nuk i shqitej edhe në momentet më të vështira. Sot kujtojmë me mallëngjim edhe babain, bashkëshortin, djalin e vëllaun, shokun tonë të paharruar, komandantin e gueriljes së parë Prishtinës, i cili na la në momentet më të vështira për luftën tonë, por njëkohësisht rënia e tij u shndërrua edhe në burim frymëzimi për fuqizimin e luftës sonë çlirimtare, shtrimin e radhëve me luftëtarë të rinj dhe për fitoren përfundimtare. Agroni nuk ishte vetëm një ndjekës i politikës së luftës çlirimtare, ai ishte edhe një krijues i saj. Ai nuk i shkonte pas luftës, ai ishte vetë lufta. I përjetshëm është kujtimi për ty shok i dashur”, ka shkruar Murati në llogarinë e vet në “Facebook”.