Agron Shehaj “po përgatitet” për një alternativë të re politike
Deputeti Agron Shehaj, i cili është larguar së fundmi edhe nga grupimi i demokratëve që udhëhiqen nga ish-kryeministri Berisha, tha se ka nisur punën për një forcë të re politike.
Lajmin e bëri të ditur në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku tha se ka nisur komunikimin me qytetarët, për ndërtimin e asaj që e cilësoi një “alternativë e vërtetë, e ndershme dhe e pakorruptuar”, për vendin.
Shehaj tha se vendimin për t’u larguar nga PD-ja ia kishte bërë të ditur zotit Berisha në muajin qershor dhe se ishte nxitur nga mungesa e vullnetit për hapjen e partisë.
Kritikët e kanë akuzuar zotin Shehaj për qëndrime jo të qarta lidhur me disa zhvillime që kanë prekur të djathtën shqiptare, që nga bashkëpunimi me Berishën edhe pse ai ishte shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, si dhe heshtja e tij mbi rezultatin e dobët zgjedhor të opozitës në dy gara lokale zgjedhore.
Shehaj tha se kishte shpresuar për ndryshim në PD, ndryshim që sipas tij nuk erdhi.
“Shoh që të gjithë kritikojnë, por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është veprimi. Unë i ftoj të më gjykojnë mbi faktet dhe jo mbi çfarë thonë të tjerët”.
Kujtojmë se Shehaj, do të qëndrojë si i pavarur deri në fund të mandatit të tij në vitin 2025, duke u larguar kështu zyrtarisht nga forca e djathtë politike, me kërkesë për një riformim real të saj, me figura të reja intelektuale.
Akuza ai hodhi edhe ndaj kreut të Grupit Parlamentar të fraksionit Berisha, Gazment Bardhi, për të cilin tha se ka qenë ky i fundit, që e ka përjashtuar Shehajn nga grupi.
Deputeti ndër të tjera pati parashtruar se nuk ka qenë pjesë e mbledhjeve të strukturave, për shkak të një zgjedhjeje personale.
Ndërsa, besimin pse kjo opozitë e sotme nuk ofron shpresë për qytetarët, e sheh te një ngërç që ka dhe në mendimin e tij, forca e sotme e djathtë nuk është alternativë në zgjedhjet e ardhshme.