AGSHEMASH
Agron Shala
Borati në fund të viteve 1990 ishte Christo, “reporter nga Shqipëria”. Por, thuhet se lufta në Kosovë dhe empatia ndaj viktimave shqiptare të Kosovës, ndikoi tek ai për ta ndryshuar këtë karakter në Borat – në “gazetarin më të famshëm të Kazakistanit”. Fatmirësisht, sepse shqiptarët nuk do të dinin se si t’i bindnin të tjerët se Shqipëria nuk është ajo që ai e përshkruan. Mos të harrojmë se pas premierës së filmit të vitit 2006, “Borat: Cultural Learnings of America for Make Benefit Glorious Nation of Kazakhstan”, Ambasada e Kazakistanit në ShBA ka paguar miliona dollarë marketing. Madje, u mbajt një konferencë shtypi për të demantuar përshkrimet që filmi ia jep Kazakistanit. Por, interesim më të madh zgjoi kundërpërgjigja e Boratit -konferenca ku ai demanton pretendimet e tilla duke i quajtur propagandë e Uzbekistanit armiqësor. Në fakt, sot ai e ka mundur Kazakistanin. E bëri të shkojë hapave të tij, meqë ky shtet po i adapton frazat e tij si formë marketingu: “Kazakhstan, very nice”.
E pash filmin “Borat Subsequent Moviefilm”, lajmin më të përfolur të ditëve të fundit në media. Komenti i parë: është qesharak. Kjo në një mënyrë ndërlidhet me atë që Nora Ephron ka thënë se janë dy tradita të komedisë: tradita e krishterë dhe tradita hebraike. Por, të ndalemi te e dyta.
Në vitin 1978, revista “Time” shkruan se 80 për qind e stand-up komedianëve në ShBA janë hebrenj. Kjo sikur vërteton atë që profesori hebre i filozofisë, rob në një kamp përqendrimi, ia thotë një studenti të Filozofisë, një ushtari nazist që ka në dorë fatin e tij e që akuzon se të gjitha të këqijat vijnë nga hebrenjtë. “Psikanaliza? Relativiteti? Krishterimi…? Ka madje nga ata që thonë se edhe humori u shpik nga hebrenjtë”, reagon profesori (citat nga filmi “Mi ricordo Anna Frank”). Në fakt, barsoletat më të vjetra janë regjistruar në tokat që lidhen me historinë e hebrenjve, si Sumeria apo Egjipti i lashtë. Ndërkaq, emrat më të mëdhenj të komedisë së shekullit XX janë hebrenj. Vëllezërit Marx, Carl Reiner, Mel Brooks, Jerry Lewis, Peter Sellers, Woody Allen, Larry David, Andy Kaufman, Jerry Seinfeld… E, në shekullin XXI, dominon Sacha Baron Cohen.
Vlen me u ndal pak te Andy Kaufman, që njihet si anti-komedian, meqë krijoi humor nga gjërat që nuk janë qesharake, po madje irrituese. “A ka ndikuar Andy në komedi? Jo. Sepse askush nuk bëri atë që bëri ai”, ka thënë Reiner për të. Në filmin “Man on the Moon”, Kaufmanin e luan Jim Carrey. Duke përdorur Metodën me të cilën më së shumti identifikohet Daniel Day-Lewis (“Method Acting” – teknikë e aktrimit që në një mënyrë nënkupton shumë ushtrime dhe analiza, derisa aktori të krijojë një indentifikim emocional me karakterin që luan), ai tjetërsohet. Gjatë gjithë xhirimeve ndjehet si njeri tjetër. Si Kaufmani. Një tallës, në çdo moment. Por, tjetërsime të tilla, në karaktere të ndryshme, nuk i bën kush si Sacha Baron Cohen (Ali G, Borat, Bruno, apo gjashtë karakteret tjera tek “Who Is America?”), që komedinë e çoi në një nivel tjetër, duke përfshirë në të njerëzit e rëndomtë e shpeshherë të famshmit, të dijshmit e të fuqishmit.
Coheni është hebre. Për këtë popull është interesante të jepen këto statistika. Ata paraqesin 0.2 për qind të popullatës botërore, por kanë fituar 170 çmime Nobel. 41 për qind të çmimeve Nobel për Ekonomi janë fituar nga ta; 28 për qind në Mjekësi; 26 për qind në Fizikë; 19 për qind në Kimi; 13 për qind në Letërsi; 9 për qind për Paqe… Ajo që dua të them është se, siç e ka thënë edhe shkenca, humori lidhet edhe me inteligjencën. Prandaj, edhe Coheni është inteligjent, ndaj bën gjëra unike. Por, është edhe i guximshëm, sepse nuk është fare e lehtë që një inteligjent të tjetërsohet në aq shumë karaktere, secili më i “injorant” se tjetri, për të shpërfaqur nivelin e të famshmëve, po edhe anët e errëta të shoqërisë perëndimore.
Në këtë aspekt, ndonëse shija ime për filmin është krejt ndryshe, meqë anon më shumë kah drama (por, që në fëmijëri kam qenë adhurues i sitcom-ëve), e përcjelli krijimtarinë e tij sepse për mua është humori më origjinal i ditëve të sotme. Që thotë diçka e që ka dije, e që rrallë e hiq e hasim sot në Kosovë (përjashto këtu “Stupcat” dhe “Zërin e Amelikës”).