Ahmet Caki ligjëron para trajnerëve të Kosovës
Të shtunën në palestrën e Kolegjit ISP në Marigona Rezidencë, para shumë trajnerëve kosovarë, ka ligjëruar trajneri i njohur turk, Ahmet Caki.
Caki është trajner i njohur dhe me shumë përvojë në basketbollin turk dhe evropian. Seminarin për trajnerë e ka hapur sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku. Ajo u shpreh se është nder, që një trajner si Caki do të ligjërojë në Kosovë, derisa trajnerët kosovarë janë pjesë shumë e rëndësishme e FBK-së, derisa seminare të ngjashme do të organizohen edhe në të ardhmen.
Trajneri turk ka ligjëruar gjatë ditës së shtunë, duke e shpalosur përvojën e tij para trajnerëve kosovarë, duke u përqendruar në aspektin mbrojtës dhe atë sulmues, por edhe gjëra të tjera që kanë lidhje me sportin e basketbollit. Ai ka qenë i hapur për pyetjet e trajnerëve, derisa foli edhe për rëndësinë që ka disiplina në ekip, si dhe përgatitja e ekipit, duke shtuar se tashmë është më e vështirë të jesh trajner se, para disa viteve, kurse basketbolli po shkon përpara dhe trajnerët duhet të jenë në hap me kohën.
Në fund, për Ahmeti Cakin është ndarë edhe një mirënjohje, derisa të gjithë trajnerët e pranishëm janë pajisur me certifikatë. Ata të cilët nuk kanë qenë të pranishëm do të duhet të paguajë 100 euro për licencim.