Ahmet Caki më 21 shtator ligjëron para trajnerëve të Kosovës
Më 21 shtator do të mbahet seminari për trajnerë në Marigona Residencë, në palestrën e Kolegjit ISP. Ligjërues në këtë seminar do të jetë trajneri i njohur turk Ahmet Caki.
Ky seminar është obligues për të gjithë trajnerët në Kosovë, si për ata që drejtojnë skuadrat në konkurrencën e meshkujve, po ashtu edhe për ata të femrave.
“Seminari është obligues dhe kushton 20 euro. Për atë që mungon, licencimi do të jetë 100 euro. Kjo është hera e parë që Ahmet Caki ligjëron në Kosovë, derisa para një muaji në Turqi ka mbajtur seminar, ku kanë marrë pjesë trajnerë nga mbarë Evropa”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Caki është trajner me përvojë në basketbollin turk dhe në atë evropian. Ai së fundi ishte trajner në Darusafaka, derisa më parë ka qenë trajner edhe i Alba Berlinit, Anadolu Efes, Tofas, Erdemirspor si dhe ishte ndihmëstrajner në Kombëtaren turke.
/Epoka e re/